
Ambasada e Shqipërisë në Londër në bashkëpunim me Rrjetin e Profesionistëve Shqiptarë në Britaninë e Madhe (UKAP) organizoi një panel diskutimi me profesorë dhe studentë shqiptarë lidhur me Brexit dhe pasojat e tij të pritshme mbi diasporën shqiptare në fushat e ekonomisë, studimit dhe migracionit. Paneli u moderua nga Driton Bilali, përfaqësues i UKAP dhe Ambasadori Qirko.
Dr. Shqiponja Telhaj, Profesore e Asociuar në London School of Economics dhe Universitetin e Sussex, në fjalën e saj u ndal në impaktin e Brexit në fushën e ekonomisë, ku vuri theksin se sipas disa studimeve akademike të kryera kohët e fundit në Britaninë e Madhe, emigrantët kontribuojnë aktivisht dhe pozitivisht në ekonominë britanike dhe nuk është e vërtetë që ata përfitojnë më shumë prej shërbimeve sociale.
Dr. Andi Hoxhaj, lektor në Universitetin e Warwick, në fjalën e tij u ndal në aspektet e aksesit në institucionet britanike të arsimit pas Brexit. Duke nënvizuar se aktualisht 88% e të ardhurave të universiteteve britanike vijnë nga tarifat e pranimit të studentëve të huaj, si dhe shtoi që është e pritshme që pas Brexit studentët nga BE-ja dhe vendet e tjera do të përballen me një shtrenjtësim të kuotave të pranimit në universitete.
Ndërsa panelisti i tretë, z. Agron Biçaku, ekspert në fushën e emigracionit, u ndal në ashpërsimin e masave të emigracionit në kuadër të Brexit dhe informoi mbi ndryshimet e miratuara dhe për ato që janë ende në fazën e shqyrtimit të legjislacionit dhe akteve të tjera të emigrimit.
Studentët dhe të rinjtë shqiptarë të pranishëm u përfshinë në një diskutim të hapur në formë pyetje-përgjigjesh, i cili vazhdoi edhe gjatë një kokteji të thjeshtë në mbyllje të aktivitetit.