Një Brexit për asgjë?

479

Vendimi britanik për t’u larguar nga Bashkimi Evropian vjen shumë vonë. Mund të ketë qenë një lajm i shkëlqyeshëm për Bashkimin Evropian, largimi i një shteti i cili e ka mishëruar njëkohësisht tregtinë e lirë që nga revolucioni industrial të shekullit XVIII, aleancën me Uashingtonin që nga “marrëdhënia speciale” anglo-amerikane të vulosur nga Winston Churchill, financarizimin që prej kur ekonomia dhe politika britanike janë të mbizotëruara nga City i Londrës, neoliberalizmin e egër që nga koha e Margaret Thatcher.

Një rikujtim gjithashtu se nuk jemi në burg. Meqenëse disa shtete mund ende të anëtarësohen, të tjerët edhe mund të jenë në gjendje të dalin një ditë. Në këtë drejtim, të paktën, të zgjedhurit britanikë, pasi vendnumëruan për një kohë të gjatë, respektuan verdiktin e popullit të tyre. Ky lloj leksioni demokratik nuk është i padobishëm në këto kohëra që po përjetojmë.

Sidoqoftë, mund të zhgënjehen ata që shpresojnë se largimi i Mbretërisë së Bashkuar do ta çlirojë Bashkimin Evropian, sidomos Gjermaninë, nga barrat e saj liberale dhe atlantiste. “Komuniteti atlantik kolosal nën varësinë dhe drejtimin amerikan”, nga i cili druhej gjenerali de Gaulle në vitin 1963, nuk ka më nevojë për britanikëtm për ta diktuar ligjin e tij në Kontinentin e Vjetër.

Sidomos që nga viti 2004, kur Bashkimi Evropian mirëpriti një duzinë shtetesh të reja, shumica e të cilëve sapo i kishin dërguar ushtarët në Irak me kërkesë të Uashingtonit. Disa nga këta anëtarë të rinj nuk janë ende në gjendje të flasin dy fjalë në një gjuhë tjetër përveç anglishtes. Më me dëshirë flasin fjalë të shkruara nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ekzagjerim ky? Jo edhe aq, duke gjykuar nga reagimi i evropianëve ndaj “Planit të Paqes” izraelito-palestinez, të paraqitur më 28 janar, në Shtëpinë e Bardhë.

Menjëherë pas formulimit të propozimeve që e shkelin ligjin ndërkombëtar – aneksimin izraelit të Jeruzalemit dhe të Luginës së Jordanit, kolonizimin e Bregut Perëndimor – Uashingtoni përgatiti elementet e një komunikatem që aletatët e tij duhej të përsëritnin për ta brohoritur entuziazmin e tyre. “Falenderojmë Presidentin Trump për përpjekjet e tij për ta çuar përpara këtë konflikt shumë të vjetër”; “Një propozim serioz, realist dhe qëllimmirë”; “Shpresojmë që falë këtij vizioni, ky konflikt mund të gjejë zgjidhje.”

Por, duke krahasuar këto “rekomandime” amerikane me reagimet e kancelarive perëndimore pas shpalljes së Planit, Le Figaro vërejti “shumë ngjashmëri në gjuhë, duke e theksuar – nëse do të kishte akoma nevojë – ndikimin e Uashingtonit në aleatët e tij”.

Si zakonisht, Britania e Madhe u tregua një nga më të shkathtët. Por disa shtete – të cilat mbeten anëtare të Bashkimit Evropian – garuan midis tyre për ta marrë rolin e papagallit të Shtëpisë së Bardhë. Dhe befasoi reagimi i Parisit. Vërtetë Franca nuk e “falenderoi Presidentin Trump”, por ajo…”përshëndeti përpjekjet e Presidentit Trump”!   

A duhet të përfundojmë se sido që të jetë, pavarësimi i Bashkimit Evropian nuk do të ndodhë, me ose pa Londrën?